Kjo video përbën një material informues të rëndësishëm mbi situatën reale në minierën e bakrit në Spaç, Mirditë, duke hedhur dritë mbi kushtet e vështira të punës, shkeljet e vazhdueshme të të drejtave të minatorëve dhe arsyet e vërteta që kanë çuar në grevën e tyre të zgjatur. Ajo shërben njëkohësisht për të sqaruar dhe demaskuar zhurmën, keqinformimin dhe dezinformimin e qëllimshëm që është krijuar publikisht ndaj sindikatës dhe vetë minatorëve.
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) thekson se greva e minatorëve të Spaçit është një akt i ligjshëm, i drejtë dhe i detyruar nga shkelja sistematike e ligjit, mungesa e dialogut social dhe mosrespektimi i detyrimeve nga punëdhënësit dhe institucionet përgjegjëse. Përpjekjet për ta paraqitur këtë grevë si të paligjshme apo të motivuar politikisht përbëjnë një përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga problemi real: shkelja e të drejtave themelore të punëtorëve.
KSSH ka qenë dhe mbetet në krah të minatorëve, duke e ngritur zyrtarisht këtë çështje edhe në komisionet parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë, përfshirë Komisionin për të Drejtat e Njeriut, ku është kërkuar ndërhyrje e menjëhershme institucionale për zgjidhjen e konfliktit, garantimin e kushteve të sigurta të punës, pagesën e drejtë dhe respektimin e plotë të legjislacionit kombëtar dhe ndërkombëtar të punës.
Konfederata dënon çdo formë presioni, intimidimi dhe tentativë për të delegjitimuar veprimin sindikal dhe zërin e minatorëve grevistë. Pasuritë natyrore të vendit nuk mund të shfrytëzohen në kurriz të jetës, shëndetit dhe dinjitetit të punëtorëve.
KSSH do të vijojë angazhimin dhe betejën sindikale në të gjitha nivelet, publike, institucionale dhe ligjore e deri në garantimin e drejtësisë sociale, transparencës dhe respektimit të plotë të të drejtave të minatorëve të Spaçit përfshirë dhe denoncim deri në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.


