Ne, minatorët grevistë të Minierës së Spaçit, i drejtohemi sot shtetit shqiptar, institucioneve përgjegjëse dhe gjithë opinionit publik me shqetësimin më të rëndë ekonomik dhe juridik që ka prekur pasuritë minerare të vendit tonë në dekadat e fundit.
Bëhet fjalë për vlerat e çmuara të nëntokës shqiptare, të cilat për 7 vite me radhë janë nxjerrë pa transparencë të mjaftueshme, pa raportim të qartë dhe në kundërshtim me standardet ligjore dhe teknike të detyrueshme.
Zona minerare e Spaçit është ndër më të studiuarat në Shqipëri. Në çdo dokument teknik të 70 viteve të fundit rezulton se mineralizimi i bakrit shoqërohet me elementë të çmuar:
-Ar (Au)
-Argjend (Ag)
-Zink (Zn)
-Arsenik (As)
-dhe elementë të tjerë të rëndësishëm industrialë.
Analizat laboratorike dhe praktikat e pasurimit tregojnë se :
Në 1 ton koncentrat bakri përmban si mineral shoqërues 13–16 g ar + argjend (komponentë shoqërues të detyrueshëm në strukturën minerale).
Sipas raportimeve të vetë operatorit koncesionar (Tete Albania):
prodhim ditor: ~70 ton koncentrat bakri,
që përkthehet në ~1 kg ar/ditë në përbërje shoqëruese .
Për periudhën 2018–2025 (84 muaj):
prodhimi teorik i përbërësve të çmuar rezulton ~2016 kg ar.
Këto janë të dhëna të matshme, të provueshme teknikisht dhe të mirënjohura në çdo raport gjeologjik e metalurgjik të zonës.
Sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë:
Neni 11: Pasuritë nëntokësore janë pronë ekskluzive e shtetit.
Neni 153: Shteti detyrohet të administrojë, kontrollojë dhe garantojë përfitimin nga pasuritë e tij natyrore.
Neni 15: Askush nuk mund të përjashtohet nga përgjegjësitë që burojnë nga ligji.
Sipas Ligjit Minerar të Shqipërisë (Ligji nr. 10304/2010):
Operatori ka këto detyrime të qarta:
Raportimin e çdo përbërësi shoqërues (Au, Ag, Zn, As).
Dorëzimin e bilanceve metalurgjike mujore dhe analizave laboratorike.
Transparencën e plotë për vlerat reale të mineralit.
Pagesën e detyrimeve financiare mbi vlerën e vërtetë të përbërësve të çmuar.
Institucionet shqiptare, nga ana e tyre, kanë detyrimin ligjor të:
-kërkojnë raportim,
-kryejnë kontroll,
-auditojnë,
-mbrojnë interesin ekonomik të shtetit.
Pavarësisht detyrimeve ligjore, teknike dhe kushtetuese,
asnjë institucion i shtetit nuk ka publikuar deri sot:
analizat laboratorike të Au/Ag për çdo muaj prodhimi,
bilancet metalurgjike të kompanisë,
dokumentet e shitjes / dorëzimit të përbërësve të çmuar,
raportet e kontrollit nga AKBN, Ministria e Infrastrukturës, Tatimet apo Doganat.
Ne, minatorët, pyesim sot publikisht:
KU ËSHTË KY AR?
KU JANË RAPORTET TEKNIKE?
KUSH KA KONTROLLUAR?
PSE SHTETI KA HESHTUR?
Kjo është një shkelje e rëndë e transparencës, e cila cënon drejtpërdrejt interesin ekonomik të popullit shqiptar.
Nëse kemi humbje të padeklaruara, nëse ka shpërputhje mes prodhimit real dhe atij të deklaruar, atëherë kemi të bëjmë me një çështje të përmasave shqetesuese.
Ne, minatorët grevistë, kërkojmë:
1. Audit të pavarur shtetëror dhe ndërkombëtar për gjithë prodhimin minerar dhe përbërësit e çmuar (Au/Ag) 2018–2025.
2. Zbardhjen e plotë të të gjitha analizave laboratorike të koncentratit, përfshirë përmbajtjen e arit dhe argjendit.
3. Zbardhjen e bilanceve metalurgjike mujore dhe vjetore, të cilat janë të detyrueshme me ligj.
4. Kthimin në buxhetin e shtetit të çdo vlere të përfituar padrejtësisht ose të padeklaruar.
5. Ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar , për të verifikuar zbatimin e kontratës koncesionare dhe përgjegjësinë e institucioneve shtetërore që nuk kanë ushtruar kontrollin ligjor.
Kjo është nxjerrja më e madhe jashtë vendit e vlerave të mineraleve të çmuara nga nëntoka shqiptare, pas asaj të Prillit 1939 në fillim të luftë sës dytë botërore, në historinë e shtetit modern, shoqëruar me mungesën më alarmante të transparencës nga institucionet përgjegjëse.
Ne minatorët nuk kërkojmë lëmoshë.
Ne kërkojmë drejtësi, transparencë dhe respektimin e ligjit.
Pasuritë e këtij vendi nuk janë të askujt tjetër përveç popullit shqiptar.
MINATORËT GREVISTË TË SPAÇIT


