INTERNATIONAL TRADE UNION CONFEDERATION

Building Workers’ Power

Deklaratë Zyrtare e KSSH-së për ngjarjen e rëndë në Kamëz, si krim i përsëritur ndaj punëtorëve.

Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë shpreh indinjatën dhe revoltën më të thellë për ngjarjen tragjike të ndodhur sot, ditë e diel, në zonën e Kamzës, Paskuqan , ku një punëtor ndërtimi, 65 vjeç, me profesion hidraulik, ka humbur jetën pasi ka rënë nga kati i 8-të i një objekti në ndërtim, si pasojë e mungesës totale të masave të sigurisë teknike në punë.
KSSH thekson se kjo ngjarje nuk është aksident, por pasojë direkte e shkeljeve të rënda të legjislacionit të punës dhe e mosfunksionimit të institucioneve shtetërore përgjegjëse për mbrojtjen e jetës së punëtorëve.
Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore ka dështuar plotësisht në përmbushjen e misionit të tij ligjor dhe kushtetues. Mungesa e kontrolleve reale, tolerimi i shkeljeve flagrante dhe formalizimi i inspektimeve e bëjnë këtë institucion bashkëpërgjegjës për humbjen e jetëve në vendin e punës.
KSSH denoncon publikisht se Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, si ministria përgjegjëse për marrëdhëniet e punës dhe politikat e punësimit, është jashtë funksionit të saj kushtetues dhe ligjor.
Në vend që të garantojë zbatimin e ligjit, kjo ministri është shndërruar në palë me bizneset, duke toleruar, mbuluar dhe në shumë raste duke formalizuar kontrollet, të cilat në praktikë janë bërë tërësisht inekzistente.
Bizneset e ndërtimit, nën mbrojtjen e heshtur institucionale, korruptojnë sistematikisht proceset e kontrollit, duke shkelur çdo ditë ligjin, duke ekspozuar punëtorët ndaj rrezikut ekstrem dhe duke i trajtuar ata si skllevër të kohës moderne.
KSSH shpreh shqetësim të thellë edhe për faktin se, sipas raportimeve mediatike, kjo ngjarje është tentuar të mbahet e fshehtë, ndërkohë që nuk ka asnjë reagim zyrtar nga Policia e Shtetit dhe nuk rezulton asnjë person i shoqëruar apo i ndaluar për këtë vdekje në punë. Ky veprim përbën fshehje të së vërtetës dhe bashkëpunim institucional me shkelësit e ligjit.
KSSH denoncon gjithashtu praktikën e përsëritur të arrestimeve formale dhe hetimeve fiktive, ku punëdhënësit dalin pa asnjë përgjegjësi penale, ndërsa familjet e punëtorëve mbeten pa drejtësi.
KSSH kërkon urgjentisht:
Hetim të plotë, të pavarur dhe transparent për këtë ngjarje tragjike.
Përgjegjësi penale reale për punëdhënësin dhe të gjithë zinxhirin institucional të neglizhencës.
Shkarkimin dhe ndëshkimin administrativ e penal të drejtuesve të Inspektoratit të Punës.
Rikthimin e kontrolleve reale dhe jo formale në sektorin e ndërtimit.
Garantimin e kushteve minimale të sigurisë dhe dinjitetit në punë.
KSSH u bën thirrje të gjitha sindikatave, punëtorëve dhe shoqërisë civile të ngrihen dhe të reagojnë, sepse heshtja po vret. Jeta e punëtorit nuk është statistikë dhe nuk mund të sakrifikohet në emër të fitimit dhe korrupsionit.
Çdo ditë që institucionet heshtin, ato bëhen bashkëfajtore në këto krime.
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë,
President i KSSH-së
Kol Nikollaj
Share