INTERNATIONAL TRADE UNION CONFEDERATION

Building Workers’ Power

Deklaratë e KSSH-së mbi aksidentin tragjik në Portin e Durrësit.

Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) shpreh tronditjen dhe dhimbjen e thellë për aksidentin tragjik të ndodhur sot në Portin e Durrësit, ku humbi jetën maritari 24-vjeçar nga Azerbajxhani, Avaz Yafarov, anëtar i ekuipazhit të anijes tregtare “Kyebele”.
Në momentin e ngjarjes, anija ishte e ankoruar në kalatën nr. 2 dhe po kryente operacionet e shkarkimit të ngarkesës me grurë.
Sipas të dhënave paraprake, i riu, me profesion elektriçist detar, ka pësuar goditje fatale nga rryma elektrike gjatë kryerjes së detyrave të tij funksionale në bord, duke ndërruar jetë pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme mjekësore.
Ky incident nënvizon sërish mangësitë serioze në zbatimin rigoroz të standardeve të sigurisë dhe mbrojtjes në punë në sektorin detar, sektor që kërkon protokolle të qarta, përgjegjësi të shtuar dhe kontrolle efektive për të garantuar kushtet e domosdoshme të sigurisë.
KSSH:
Shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe të thella për familjen e viktimës, kolegët e tij dhe mbarë komunitetin e marinarëve të huaj që operojnë në territorin e Shqipërisë.
Shpreh solidaritet të plotë sindikal me të gjithë marinarët shqiptarë anëtarë të KSSH, të cilët ndajnë rreziqet, vështirësitë dhe përgjegjësinë e përditshme të punës në det.
Adreson ngushëllimet dhe solidaritetin e saj edhe ndaj sindikalistëve të AHIK, organizatës homologe Konfederatës Sindikale të Azerbajxhanit, me të cilët KSSH ndan vlera të përbashkëta dhe angazhim të përhershëm për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.
Kërkon zhvillimin e një hetimi të plotë, transparent dhe të paanshëm nga autoritetet shqiptare kompetente, me qëllim zbardhjen e rrethanave dhe përgjegjësive që çuan në këtë ngjarje tragjike.
Rikujton detyrimin e padiskutueshëm të institucioneve shtetërore, autoriteteve portuale dhe operatorëve ekonomikë për zbatimin e standardeve ndërkombëtare të sigurisë dhe mbrojtjes së punëtorëve, përfshirë:
1- Konventën Ndërkombëtare të Punës Detare (MLC 2006);
2- ILO Convention 147 për standardet minimale të punës për marinarët;
3- ILO Convention 152 për sigurinë në operacionet e ngarkim–shkarkimit dhe në terminalet portuale.
Zbatimi rigoroz i këtyre instrumenteve ndërkombëtare është i domosdoshëm për të parandaluar aksidente të tilla dhe për të garantuar kushte të sigurta e dinjitoze pune.
KSSH thekson se jeta dhe siguria e çdo maritari, qoftë vendas apo i huaj, përbën prioritet absolut, dhe çdo devijim nga standardet ligjore e profesionale përbën dështim të rëndë institucional dhe moral.
Në bashkëpunim të plotë me Federatën Sindikale të Transportit dhe Telekomunikacionit, anë tare e saj, KSSH rithekson angazhimin e saj në kuadër të anëtarsimit në European Transport Workers’ Federation (ETF) dhe International Transport Workers’ Federation (ITF), ku Sindikata jonë është pjesë e rrjetit sindikal ndërkombëtar që mbron të drejtat e marinarëve dhe punëtorëve të transportit kudo ku ato cënohen.
KSSH do të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën dhe të kërkojë masa të menjëhershme përmirësuese, me qëllim që tragjedi të tilla të mos përsëriten më.
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH).
Share