4 Nentor 2020 – Takimi vjetor i Grave PERC

4 Nentor 2020 – Takimi vjetor i Grave PERC

Ky takim e kishte fokusin e tij në “Gratë në vijën e frontit gjatë pandemisë: sfidat dhe mënyra përpara”, dhe diskutoi temat vijuese:

Covid-19 dhe efektet mbi gratë – përvojat, shkëmbimi dhe analiza;

Mësimet e marra – pasojat e pandemisë Covid-19 dhe rruga përpara;

Konventa 190 e ILO: azhornimi dhe rruga përpara.

Në këtë takim online, të organizuar nga ITUC/PERC, KSSH përfaqësohej nga:

Znj. Anisa Subashi, Zv. Presidente e KSSH-së,

Znj. Suzana Lulaj, Sekretare e Përgjithshme e Federatës së Sindikatave të Punonjësve të Tekstilit, Konfeksioneve dhe Shërbimeve të Artizanatit të Shqipërisë,

Znj. Besiana Mile, Kordinatore e Rrjetit të Gruas së KSSH-së

Zv. Presidentja e KSSH-së, Znj. Subashi gjatë takimit diskutoi për Shqipërinë duke dhënë një panoramë se ku është në çështjet e sipërmendura. Ajo theksoi se në Shqipëri:

Situata për shkak të Covid-19 vazhdon të jetë e vështirë, si dhe numri i të infektuarve po rritet me një numër të lartë çdo ditë. Gjithashtu problem i shtuar çdo ditë nga kjo pandemi është rritja e dhunës ndaj grave në familje, por edhe në vendet e punës, si dhe stresi i shtuar i grave punëtore në vendin e punës. Mendohet që masat kufizuese të shtohen, në varësi edhe si do të shkojë situate e pandemisë.

Një rast shqetësues, që tashmë është bërë i njohur ndërkombëtarisht nga Federata e Sindikatave të Industrisë, është ai i një kompanie nafte në jug të Shqipërisë, në Ballsh ku 10 gra vazhdojnë prej 20 ditësh një grevë urie pasi punëtorëve të kësaj kompanie private nuk u janë paguar pagat. Falenderojmë AFL-CIO dhe IndustriAll që kanë dërguar shkresë mbështetëse dhe solidaritetin e tyre.

Paga minimale, më në fund, është vendosur që do të rritet me 15 %, edhe pse KSSH ka rreth 3 vjet që kërkon në të gjitha takimet zyrtare, me shkresa të dërguara bazuar edhe në studime, në media, si dhe në Këshillin Kombëtar të Punës. Në sektorin specifik të shëndetësisë, ku punonjësit janë në linjën e frontit të pandemisë, do të rritet me 40 %.

Në lidhje me Konventën 190 të ILO-s “Konventa mbi dhunën dhe ngacmimin”, falë kërkesave vazhdueshme të dërguara nga KSSH në 7 Tetor 2019, në Janar 2020, Kërkesës në Qershor 2020 për ta futur në agjendën e takimit të Këshillit Kombëtar të Punës që u zhvillua dhe diskutua më Qershor, si dhe futja dhe diskutimi edhe në takimin e Këshillit Kombëtar të Punës në Tetor 2020 është në një rrugë të mbarë për tu ratifikuar. Ministria ka bërë një studim që tregon se kjo konventë mund të ratifikohet dhe se nuk ka pengesa të mëdha, përveç kohës që do të duhet për transfuzionin dhe përshtatjen e ligjeve në legjislacionin shqiptar.

Këto informacione KSSH ia ka dërguar më të detajuara edhe më parë kolegëve ndërkombëtar.

Në këtë takim ishte edhe Sekretarja e Përgjithshme e ITUC, Znj. Sharan Burrow, e cila në diskutimin e saj theksoi mesazhin:

Punë – Punë – Punë

Një Kontratë e Re Social është domosdoshmëri – ku mbrojtja sociale duhet të jetë në themelin e saj

Gratë duhet të jenë në fokusin e politikave të rimëkëmbjes

Së bashku jemi më të forta