Konferencë Kombëtare “Reforma për Pensione Dinjitoze” >
< KSSH, 7 Tetor 2013. Bulqizë, promovimi i ditës botërore për punën e denjë
11.11.2013 16:30 Age: 4 yrs

Z. Frank Hantke, Drejtor i Fondacionit Fridrich Ebert Stiftung në Tiranë, jep eksperiencën gjermane për Këshillat e Punëtorëve në Ndërmarrje


Me datë 11 Nëntor 2013, në ambjentet e Qendrës së Trajnimit dhe Studimeve Sindikale të Shqipërisë (QTSSSH), Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) dhe Qendra e Trajnimit dhe Studimeve Sindikale të Shqipërisë (QTSSSH) në bashkëpunim me Fondacionin Fridrich Ebert Stiftung (FES) organizuan seminarin me temë “Roli i Këshillave të Punëtorëve në Ndërmarrje – eksperienca gjermane”, referuar nga Drejtori i FES-it, Z. Frank Hantke.

Në këtë seminar morën pjesë Presidentët e Federatave, si dhe Koordinatorët e Qarqeve të KSSH-së.

Seminarin e hapi Znj. Anisa Subashi, Drejtore e QTSSSH, duke falenderuar pjesëmarrësit dhe vlerësoi kontributin e dhënë nga FES për realizimin e objektivave të programit që kjo Qendër ka ndërmarrë gjatë këtij viti, veçanërsisht realizimin e një cikli seminaresh me tematikë për Këshillat e Punëtorëve në Ndërmarrje në të gjitha Qarqet e vendit. Ajo bëri një panoramë të situatës aktuale në Shqipëri në lidhje me fillimin e ngritjes dhe strukturimit të këshillave puntore në ndërmarrje duke e analizuar atë në përmbushje të Direktivave të BE-së si një normë social europiane e domosdoshme. Sindikatat duhet ta shfrytëzojnë këtë instrument shtesë për të rritur kompetencat e tyre në botën e punës dhe forcuar mbrojtjen e interesave të puntorëve.

Z. Kol Nikollaj, President i KSSH-së përshëndeti pjesëmarrësit dhe veçanërisht Drejtorin e FES, Z. Frank Hantke, i cili prej vitesh ka qënë një bashkëpuntor dhe mbështetës i lëvizjes sindikale në Shqipëri si dhe i KSSH-së. Ai me kontributin e tij, veçanërisht me botimet për Sindikatat e Europës Jug-lindore, apo Sindikatat e Shekullit XXI të vendeve post-komuniste, të cilat kanë qënë thelbi i reformës strukturore të KSSH-së, duke u bërë një mbështetje kryesore në hartimin dhe përcaktimin e strategjisë dhe prioriteteve të KSSH-së. Ai falenderoi FES-in për mbështetjen që ka dhënë dhe po jep në implementimin e Strategjisë së Edukimit dhe Trajnimit të KSSH-së, kryesisht në drejtim të forcimit të kapaciteteve, të shkëmbimit të informacioneve dhe trajnimit të lidershipit të KSSH-së. Z. Nikollaj theksoi domosdoshmërinë e funksionimit të Këshillave të Punëtorëve në ndërmarrje në partneritet me lëvizjen sindikale. Kjo arrihet vetëm atëhere kur Sindikatat ta mbyllin ciklin e ndryshimeve të tyre të brendshme në drejtim të demokratizimit dhe përsosmërisë organizative. Z. Nikollaj theksoi se pavarësisht ndryshimeve të favorshme politike në Shqipëri, KSSH-ja ka qënë dhe do të mbetet një organizatë e pavarur, me veprimtari publike dhe shoqërore që ka prioritet parësor plotësimin e interesave social-ekonomike të puntorëve shqiptar.

Z. Frank Hantke në referimin e tij e quajti të rëndësishëm bashkëpunimin me KSSH-në dhe veçanërisht temën e diskutuar në këtë seminar, e cila do të shërbejë për të dhënë eksperiencën dhe ndihmën e nevojshme gjermane që edhe puntorët shqiptar të vetë-organizohen në përputhje me Standartet dhe Direktivat e Bashkimit Europian. Ai hodhi një vështrim të përgjithshëm mbi parimet dhe punën e Sindikatave në vendin e punës, interesat e sindikalistëve në vendin e punës dhe se kush duhet ti përfaqësojë këto interesa dhe këta sindikalist. Shpjegoi se Këshillat e Punëtorëve në ndërmarrje janë një instrument që bazohen mbi normat sociale europiane ku mendimet e ndryshme të diskutohen dhe të zgjidhen mbi bazën e dialogut, duke rradhitur hierarkinë e mënyrës së përfaqësimit në vendin e punës nga Sindikata e ndërmarrjes dhe nga Këshilli i Punëtorëve të ndërmarrjes. Theksi i tij u vu në ndryshimet ndërmjet këtyre Këshillave dhe Këshillave Sindikale duke theksuar se këto Këshilla nuk janë Organizata Sindikale dhe nuk nënshkruajnë Kontrata Kolektive.

Drejtuesit e Federatave dhe Qarqeve të KSSH-së shprehën interesin e tyre dhe seminari u zhvillua në formën e bashkëbisedimeve të ndërsjellta dhe pati interes nga pjesëmarrësit mbi eksperiencën dhe se si janë krijuar dhe evoluar në Gjermani marrdhëniet dhe bashkëpunimi midis Sindikatave dhe Këshillave të Puntorëve në ndërmarrje, përfitimet dhe problemet e të dyja palëve. Të gjithë pjesëmarrësit ishin mjaft aktivë duke bërë pyetje të ndryshme dhe diskutime, të cilat kryesisht kishin të bënin me qëndrimin e Konfederatës ndaj këtyre Këshillave.
Newsitem 1 till 2 out of 12 newsitems.
First page < Previous 1-2 3-4 5-6 7-8 9-10 11-12 Next > Last page

Search

Kerko per:
Advanced search

Newsletter

Enter your email address: