Seminari përmbyllës i Projektit “Forcimi i rolit të sindikatave në mbrojtje të drejtave sociale dhe ekonomike të punonjësve shqiptar” >
< Z. Frank Hantke, Drejtor i Fondacionit Fridrich Ebert Stiftung në Tiranë, jep eksperiencën gjermane për Këshillat e Punëtorëve në Ndërmarrje
17.12.2013 16:30 Age: 4 yrs

Konferencë Kombëtare “Reforma për Pensione Dinjitoze”


17 Dhjetor 2013 – Hotel Tirana International, Salla “Consortium

Më datë 17 Dhjetor 2013, në ambientet e Hotel Tirana Internacional, Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) organizoi një Konferencë Kombëtare për Reformën në Sistemin e Pensioneve.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të realizimit të Strategjisë dhe Objektivave që KSSH ka në fushën e mbrojtjes sociale në përgjithësi dhe atë të pensioneve në veçanti.

Në këtë Konferencë u prezantuan dy studime dinjitoze të kryera nga grupi i punës i miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e KSSH-së, me bashkëfinancim me ISCOS Marche Onlus.

Studimet që u promovuan në këtë konferencë ishin produkt i  një pune njëvjeçare të aktivitetit sindikal të kryer brenda dhe jashtë Shqipërisë posaçërisht për reformën e pensioneve, duke e parë këtë si një sfidë, jo vetëm të Qeverisë shqiptare por e të gjithë shoqërisë, e cila duhet të arrijë një konsensus shoqëror dhe social për kryerjen e kësaj reforme.

Konferenca u drejtua dhe moderua nga Znj. Anisa Subashi, Zëvendës Presidente e KSSH-së dhe njëkohësisht Kryetare e grupit të punës së këtij studimi. Ajo shprehu pikëpamjet, qëndrimet dhe alternativat që ofron KSSH-ja në fushën e reformimit të sistemit të pensioneve dhe në atë sociale në tërësi

Në emër të Qeverisë Shqiptare, Zëvendës Ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Znj. Bardhylka Kospiri përshëndeti këtë nismë dhe konferencën, dhe falenderoi të gjitha strukturat drejtuese të KSSH-së për bashkëpunimin dhe dialogun produktiv që kanë kryer dje me opozitën dhe sot me qeverinë e re në fushën e mbrojtjes sociale dhe të drejtave të punëtorëve dhe të shtresave të tjera në nevojë dhe të marxhinalizuara. Ajo i njohu pjesëmarrësit me pikëpamjet e Qeverisë Shqiptare për këtë çështje dhe bashkëpunimin e Qeverisë me Bankën Botërore, Fondin Monetar si dhe me Sindikatat në përgjithësi e me KSSH-në në veçanti dhe shoqërinë civile si pjesë të domosdoshme për të arritur një konsensus social për reformën në pensione.

Në emër të KSSH-së, Presidenti i saj, Z. Kol Nikollaj mbajti fjalën përshëndetëse ku theksoi se në Raport Progresin e BE-së të Tetorit 2013, ndër të tjera theksohet: LSMS-ja e fundit (Anketa e matjes së nivelit të jetesës së familjes) tregon se nivelet e varfërisë janë rritur në 2012 duke ndryshuar trendin e rënies 2002 – 2008. Sipas parametrave të studimit varfëria u rrit nga 12.4 % në 2008 në 14.3 % në vitin 2012.

Më poshtë vazhdon: “…Reforma e pensioneve nuk po ecën përpara për shkak të mungesës së vullnetit politik.“.

Unë do ti shtoja kësaj se mungon jo vetëm vullneti politik, por dhe një konsensus shoqëror, pasi kjo reformë është një reformë thelbësore që ka të bëjë me interesat në tërësi të të gjithë brezave dhe moshave.

Kjo reformë detyrimisht duhet të mbështetet dhe bazohet në një konsensus kombëtar. Për reforma të tilla madhore nuk mjafton vetëm konsensusi politik. Kjo është çështje më shumë se politike. Është një çështje me shumë rëndësi për sindikatat veçanërisht, pasi vetëm futja në konsultime dhe vendimarrje e sindikatave dhe e grupeve të tjera të interesit do të bënte të mundur një sistem pensionesh me qëndrueshmëri ekonomike dhe qëndrueshmëri politike.

Kjo reformë ka të bëjë me tranzicionin, ndryshimet strukturore në punësim, ndryshimet ekonomike, mënyrat e taksimit, hapjen e tregut, me ekonominë informale, rrogat e padeklaruara, etj.

Nuk mund të ndërtojmë një sistem solid pa analizuar strukturën aktuale të pensioneve, tashmë të dështuar. Çdo reformë e marrë për pensionet duhet të bazohet në solidaritet dhe drejtësi sociale dhe njëkohësisht të shprehë dhe të promovojë vlerat e shoqërisë, sidomos të stadit aktual të paraaderimit në BE.

Transparenca, gjithëpërfshirja dhe zbatimi i ligjit, shoqëruar me ndryshimin e modelit ekonomik jo vetëm që janë çelësi i suksesit dhe zhvillimit ekonomik, por janë dhe udhërrëfyes për reformat e suksesshme, jo vetëm për pensionet, por edhe për ekonominë në tërësi.

Reforma në pensione është e suksesshme vetëm atëhere kur Qeveria ndërton dhe konsolidon shtyllat e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të vendit, që kryesisht janë:

·         Rritje e integruar ekonomike

·         Rritja e shpejtë ekonomike

·         Rritja e qëndrueshme ekonomike

·         Rritje gjithëpërfshirëse ekonomike

Krahas rritjes ekonomike vendimtare për reformën në pensione është dhe besimi i publikut në qeverisje dhe në reformimin e suksesshëm të ekonomisë. Koha sot tregon se besimi i njerëzve është më i rëndësishëm se ai i tregjeve, prandaj drejtësia sociale është vendimtare për të rifituar besimin e njerëzve në të tilla reforma.

Sot, jo vetëm në Shqipëri por edhe në Europë, kudo sistemet kombëtare të mbrojtjes sociale gjithnjë e më shumë po lëkunden dhe shballancohen duke u vënë nën presionin e krizës ekonomike dhe të ndryshimeve demografike dhe të mos konsolidimit fiskal.

Menaxhimi dhe promovimi i “plakjes aktive” bën të mundur që punëtorët e moshuar të qëndrojnë më gjatë në tregun e punës, si dhe të nxisin ri-integrimin e atyre që përjashtohen nga ky treg në saj të reformave dhe ristrukturimeve të shpeshta. Prandaj çdo vend dhe sidomos Shqipëria në veçanti, sot ka nevojë të reformojë sistemin e vet të mbrojtjes sociale në një mënyrë të tillë që të gjejë një ekuilibër të mirë dhe të pranueshëm midis qëndrueshmërisë financiare dhe të përshtatshmërisë sociale dhe ekonomike të përfitimeve.

Zgjidhja më e përshtatshme është dhe do të mbetet mirëfunksionimi i dialogut social.

Në emër të punëdhënësve dhe biznesit, foli Z. Avni Ponari, Drejtor i Përgjithshëm i SIGAL Austria Group, i cili falenderoi KSSH-në për bashkëpunimin me punëdhënësit dhe qeverinë në fushën e pensioneve dhe për faktorizimin e saj si një aktor social me rëndësi. Z. Ponari shpjegoi nevojën dhe domosdoshmërinë jo vetëm të funksionimit të kollonës së dytë dhe të tretë për pensione private të detyruara dhe për pensione private vullnetare, por dhe një reformë tërësore të këtij sistemi në formë parametrike dhe arritjen e një konsensusi sa më të gjërë politik dhe shoqëror për të kryer këtë reformë. Ai dha një panoramë dhe për fondin vullnetar të pensioneve që është pjesë e SIGAL Austria Unica Group Albania.

Nga Insituti i Sigurimeve Shoqërore foli Z. Ali Emini, Zëvendës Drejtor i Përgjithshëm, i cili shpjegoi situatën e vështirë në të cilën ndodhet sistemi i pensioneve në shqipëri dhe nevojën për reformimin e tij.

Z. Dino Lorimer, Përfaqësues i ISCOS Marche onlus në Tiranë foli për përvojën e sindikatave italiane në këtë fushë si dhe evidentoi bashkëpunimin e mirë disavjeçar me KSSH-në, në drejtim të edukimit, kualifikimit dhe trajnimit sindikal, product i të cilit është dhe kjo konferencë.

Z. Alfred Topi, Përfaqësues i Zyrës së ILO-s në Tiranë, solli përvojën e ILO-s në drejtim të reformimit të sistemit të pensioneve dhe reformimit tërësor të sistemit të shërbimeve sociale.

Z. Naim Hasa, ekspert i fushës së pensioneve dhe bashkëpunëtor i Qendrës së Trajnimit dhe Studimeve Sindikale të Shqipërisë (QTSSSH) dha një panoramë të këtyre dy studimeve duke shpjeguar qëllimin, kontekstin e përgjithshëm demografik, ekonomik dhe social në Shqipëri, sistemin e mbrojtjes sociale dhe sistemin e pensioneve në Shqipëri si dhe nevojën e alternativat që ofron KSSH-ja nëpërmjet këtij studimi për kryerjen e një reforme dinjitoze në fushën e penioneve. Ai shpjegoi sfidat kryesore që shqetësojnë sistemin e mbrojtjes shoqërore, siç janë: ngushtimi dhe zhdukja e varfërisë dhe përjashtimi social. Në fund ai prezantoi konkluzionet dhe rekomandimet e të dy studimeve, të cilat konferenca vendosi që në mënyrë institucionale t’ia bëjë prezent instancave më të larta shtetërore si: Presidentit, Parlamentit, Qeverisë dhe Partive Politike kryesore që kanë akses në vendimarrje.
Newsitem 1 till 2 out of 12 newsitems.
First page < Previous 1-2 3-4 5-6 7-8 9-10 11-12 Next > Last page

Search

Kerko per:
Advanced search

Newsletter

Enter your email address: