Takim ndërmjet KKP së Shqipërisë dhe KES të Maqedonisë >
< Sekretari i Përgjithshëm i Sekretariatit Europian të sindikatave INDUSTRIALL, z. Luca Triangle, viziton KSSH-në
11.11.2016 00:00 Age: 320 days

Konferencë kombëtare: “Efektet e rritjes së pagës minimale në ekonominë shqiptare”


Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë – KSSH më datë 11.11.2016 në ambjentet e hotel “Tirana International” organizoi një Konferencë Kombëtare “Efektet e rritjes së pagës minimale në ekonominë shqitare”. Në konferencë përveç Asamblesë së Përgjithshme të KSSH-së morën pjesë edhe aktivistë e drejtues sindikal nga i gjithë vendi, punëdhënës, dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe të qarqeve akademike. Qeveria e Shqipërisë e përfaqësuar nga zëvendës ministrija e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë znj. Vjollca Braho. Kjo konferencë promovoi një studim të kryer nga Qendra e Trajnimit dhe e Studimeve Sindikale të Shqipërisë në bashkëpunim me Universitetin Europian të Tiranës me autor Prof. Asoc. Dr. Arbi Agalliu, Msc. Anisa Subashi. Ky studim u mbështet financiarisht dhe organizativisht nga KSSH-ja. Ai është konkretizim në vijimesi i punës një vjeçare që kanë bërë të gjitha strukturat organizative të KSSH-së të cilat në axhendën e tyre vjetore kanë pasur të programuar si prioritet rritjen e pagës minimale dhe përcaktimin e minimumit jetik. Nëpërmjet këtij studimi sindikalistët “armatosen” teorikisht dhe praktikisht me ide dhe veprime konkrete duke paraqitur përpara punëdhënësve dhe qeverisë një alternativë të besueshme dhe të mundshme se si dhe sa e kur duhet të ngrihet paga minimale. Thelbi i studimit qëndron në faktin se rritja me 1% të pagës minimale e rrit GDP me 0.07% që do të thotë që: një rritje prej 30% që kërkon KSSH automotikisht do të kemi një rritje të GDP me mbi 2%, duke i shtuar kësaj rritje dhe vlerën rreth 4% që parashikohet të rritet GDP e Shqipërisë për vitin 2016 atëherë automatikisht në vitin 2017 vendi ynë do të kishte një rritje ekonomike mbi 6%, shifër kjo oportune për zhvillim të suksesshëm ekonomie, për thhithje të investimeve të huaja dhe për krijimin e vendeve të reja të punës. Njëkohësisht rritja e pagës minimale nga e cila përfitojnë mbi 200 mijë punonjës do të shërbente si një solucion emergjent për rritjen e konsumit. Studimi e përcakton qartë se rritja e pagës minimale që nuk është rritur prej 3 vjetësh dhe është më e ulëta në rajonin e Ballkanit, detyrimisht duhet të rritet dhe të indeksohet çdo vit me qëllim që të rivlerësohet realisht “çmimi i punës” dhe të rritet produktiviteti i punës nëpërmjet investimit në kapitalin human (njerëzor). Edhe përfaqësuesit e biznesit ishin në një linjë me kërkesën e sindikatave por ata janë më të pa organizuar, më të fragmentalizuar, dhe një pjesë e tyre nisën nga interesat e fitimit të çastit, duke mos e vlerësuar rritjen e pagës minimale. Megjithatë pozitive ishte dakortësia e tyre me kërkesën tonë. Zv. ministria znj. Vjollca Braho e quajti të aryeshme kërkesën e KSSH-së dhe ftoi të gjithë aktorët e tjerë social që të bashkëpunojnë ndërmjet tyre dhe me qeverinë që sa më shpejt t’i jepet një zgjidhje e arsyeshme rritjes së pagës minimale. Ajo premtoi që kjo temë do të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Kombëtar të Punës. Presidenti i KSSH-së z. Kol Nikollaj, në përshëndetjen e tij e vuri theksin tek situata aktuale në Shqipëri, përkufizimi i pagës minimale, kriteret morale dhe logjika ekonomike që kërkojnë rritjen e saj, të kuadrit ligjor i cili shpesh anashkalohet dhe veçanërisht tek Karta Sociale Europiane neni 4 i saj, që thekson që: “Nuk konsiderohet në përputhje me kartën nëse paga minimale zbret nën 60% të pagës mesatare neto kombëtare”, si dhe zbatimi korrekt i konventës nr 26 të ILO-s e nenit 111 të Kodit të Punës, si dhe rekomandimi nr 35 të ILO-s si dhe disa direktiva të BE për punë të denjë e shpërblim të drejtë. Profesori i UET z. Arbi Agalliu në emër të grupt të punës shpjegoi për pjesëmarrësit studimin “Efektet e rritjes së pagës minimale në ekonominë shqiptare” duke u përqëndruar kryesisht tek qëllimi dhe objektivat e tij, nevojën e domosdoshme të rritjes se pagës minimale duke e krahasuar atë me vendet e rajonit dhe me vendet e BE, duke dëshmuar nevojën e domosdoshme të rritjes së zhvillimit dhe përfeksionimit të një dialogu social mes të tre palëve në raste të tilla për probleme sociale madhore. Ai shpjegoi dhe lidhjen e ngushtë që ka rritja e pagës minimale dhe shpallja e minimumit jetik si një domosdoshmëri dhe një burim jetësor për puntorët e jo si një abstraksion ekonomik. Ai shpjegoi dhe konkluzionet e këtij studimi. Në konferencë disktutoi z. Abdulla Omuri, Kryetar i Shoqatës së Invalideve të Punës i cili kërkoi mbështetjen e sindikatave për shumë probleme ekonomike e sociale që shoqata e tyre dhe të gjitha grupet vunerable kanë aktualisht në Shqipëri. Në konferencë u zhvilluan mjaft debate dhe diskutime nga sindikaliste me përvojë dhe ekspertë ekonomikë të KSSH-së si: Prof. Ilia Telo, z.Nik Prenga, z.Kujtim Myrtaj, z.Taf Koleci, Prof. Kico Zizo, z.Ferid Duka, z.Misir Kumria etj. Moderatorja e konferencës zëvendës presidentja e KSSH-së znj. Anisa Subashi në konkluzionet përmbyllëse të konferencës theksoi dhe njëherë prioritetet e KSSH-së në fushën e pagave, të pensioneve, dhe të shpërblimeve të tjera sociale. Ajo vlerësoi punën e bërë nga grupi i punës duke e quajtur studimin të një cilësie mjaft të lartë si i pari studim që kryhet në Shqipëri për këtë problem. Në fund znj. Subashi ftoi të gjithë pjesëmarrësit për të votuar një rezolutë të veçantë të dalë nga kjo konferencë e cila pasi u votua me unanimitet, do të kthehet në formën e një peticioni dhe do t’u dërgohet organeve vendimarrëse dhe ligjbërëse të vendit tonë. Më poshtë Rezoluta............................................................................: REZOLUTË PËR RRITJEN E PAGËS MINIMALE Drejtuar: - Kuvendit të Republikës së Shqipërisë - Qeverisë së Republikës së Shqipërisë - Z. Edi Rama, Kryeministër Asambleja e Përgjithshme e KSSH dhe të gjithë strukturat drejtuese të saj, të mbledhura me datë 11.11.2016 në Konferencën Kombëtare “Efektet e Rritjes së Pagës Minimale në Ekonominë Shqiptare” pasi diskutuan për ndikimet e pagës minimale në ekonominë shqiptare mbështetur në studimet dhe hulumtimet e kryera në mënyrë shkencore dhe me profesionalizëm në bashkëpunim me qarqe akademike dhe shoqërinë civile vendosi që ti drejtohet Qeverisë Shqiptare me një kërkesë të posaçme: “Rritjen urgjente të pagës minimale në masën 30-50 % sipas profesioneve”. Strukturat drejtuese dhe vendimmarrëse të KSSH mendojnë se paga është një komponent i rëndësishëm jo vetëm si burim financiar por ajo merr një rëndësi të veçantë si një element i rëndësishëm në menaxhimin e aseteve dhe të kapitalit human, pasi në fund të fundit kjo është arsyeja se përse punohet. Që nga korriku i vitit 2013 në Shqipëri nuk ka patur rritje të pagës minimale aktualisht kjo është 22000 lek në muaj (156 euro) dhe paguhet për 174 orë punë në muaj të kryer në kohën normale të punës. Paga minimale orare është 129 lek/orë pune. Kjo pagë është më e ulëta në të gjithë rajonin e Ballkanit. Ne konstatojmë se kjo pagë minimale është nën “normat e tregut” dhe si e tillë ajo tashmë ka krijuar pakënaqësi, demotivim dhe shpesh kundërshti e konflikte sociale duke i rënduar ekuilibret sociale, prandaj ne ju sjellim në vëmendje nenin 4 të Kartës Sociale Europiane që thekson: “nuk konsiderohet në përputhje me kartën në se paga minimale zbret nën 60 % të pagës mesatare neto kombëtare”. Kërkesa jonë për rritje të menjëhershme dhe të ndjeshme të pagës minimale merr parasysh plotësimin minimal të nevojave themelore të punonjësve si dhe Konventën nr. 26 të ILO “Mekanizmi i caktimit të pagës minimale”, ratifikuar nga vendi ynë që me 23.04.2001. KSSH si sindikata më e përfaqësuar në Shqipëri vazhdimisht e ka konsideruar pagën minimale dhe minimumin jetik jo si një abstraksion ekonomik por si një burim jetësor i domosdoshëm për punëtorët. Kërkesa jonë dhe realizimi i saj janë një hap i rëndësishëm i hedhur në drejtim të arritjes së standardeve minimalisht të pranueshme për një pagë dhe një shpërblim dinjitoz. Kjo kërkesë jo vetëm që do ju shërbejë punëmarrësve por ajo ka dhe një arsyetim dhe logjikë ekonomike pasi do të rivlerësojë çmimin e krahut të punës, do të rirregullojë sistemin e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, do të rrisi konsumin dhe do të nxisi një rritje ekonomike reale. Konferenca e sotme dhe studimi që ajo promovoj e vërtetojnë më se miri logjikën ekonomike dhe bazueshmërinë ligjore të kërkesës tonë. Kërkesa jonë argumentohet plotësisht në treguesit e përgjithshëm ekonomik e kryesisht në kërkesat e zhvillimit ekonomik, në minimizimin e papunësisë, rritjen e prodhimit dhe më kryesorja për ne sindikatat në nevojat e punonjësve dhe të familjeve të tyre për të ruajtur nivelet e standardet e jetesës. Studimi ynë vërtetoi qartë se kërkesa jonë ka bazueshmëri dhe logjikë ekonomike e cila lidhet me aftësitë konkurruese të ekonomisë tonë. Kjo kërkesë merr parasysh edhe ndryshimin e dinamikës së përgjithshme të pagave që pësohet nga kjo rritje, normën e inflacionit nga njëri vit në tjetrin si dhe aftësitë e buxhetit të shtetit për të përballuar këtë rritje (për punonjësit buxhetor) si dhe me aftësitë konkurruese e paguese të bizneseve vendase e të huaja që operojnë në Shqipëri në sektorin privat. Rritja e pagës minimale bëhet e domosdoshme jo vetëm për të rirregulluar shpërndarjen e produktit në të gjithë piramidën e sistemit të pagave por ajo nxit rritjen e pensioneve, favorizon punësimin, rrit ndihmën ekonomike, pagesat e paaftësisë e të tjera përfitime bazike të cilat fatkeqësisht në mënyrë të frikshme po rritin nivelin e varfërisë në shtrirje dhe në thellësi. KSSH është e mendimit se tashmë është koha më e favorshme për të realizuar rekomandimet e BE dhe të ILO: “Për përmirësimin e pagës reale dhe rritjen e pagës minimale, mbështetjen e pagës tek produktiviteti, reforma rregullatore në paga dhe taksa, zhvillimin e dialogut social më efektiv për adaptimin më të mirë të politikave të pagave me krizat apo konfliktet sociale”. Kjo rrije e arsyetuar e pagës minimale është edhe në favor të trendit pozitiv të zhvillimit të reformave të ndërmarra nga Qeveria për luftën ndaj informalitetit e evazionit fiskal dhe rritjen e produktivitetit në ekonomi. Kjo do të minimizojë përpjekjet e punëdhënësve për mosdeklarimin e pagave ose nivelin e tyre. Si përfundim krahas konkluzioneve mjaft të rëndësishme që ky studim udhëzon dhe që ato u miratuan sot në këtë Konferencë, KSSH mendon se rivlerësimi dhe rritja e pagës minimale në mënyrë ritmike institucionalizon dhe krijon lehtësira për bisedime e negociata kolektive ndërmjet sindikatave dhe punëdhënësve në mënyrë reale e transparente. Kjo rritje e pagës minimale jep direkt efekte pozitive në uljen e varfërisë monetare duke rritur të ardhurat e për rrjedhojë duke rritur edhe konsumin. Nëpërmjet uljes së varfërisë monetare do të kemi një vlerësim real të krahut të punës, do të kemi rritje të produktivitetit të punës dukë e bërë punën dinjitoze e nëpërmjet saj duke kontribuar direkt në shëndetin e njerëzve, edukimin, arsimimin, përfshirjen sociale, punësimin, sigurinë dhe garantimin e lirisë dhe të shprehjes për përfaqësuesit e punëtorëve, për ne sindikatat. Asambleja Kombëtare e KSSH Presidenti Kol Nikollaj Tiranë, me 11.11.2016

Search

Kerko per:
Advanced search

Newsletter

Enter your email address: