Mblidhet Asambleja Kombëtare e KSSH-së >
< Seminari përmbyllës i Projektit “Forcimi i rolit të sindikatave në mbrojtje të drejtave sociale dhe ekonomike të punonjësve shqiptar”
01.05.2014 17:00 Age: 3 yrs

1 Maji 2014 - ditë manifestimi për KSSH


1 Maji 2014- ditë manifestimi dhe proteste për Konfederatën e Sindikatave të Shqipërisë

Më datë 1 maj 2014, në kuadër të ditës ndërkombëtare të solidaritetit ndërkombëtar të punonjësve, KSSH organizoi një sërë aktivitetesh për të promovuar këtë ditë si një dite të protestës  dhe artikulimit të  kërkesave të saj për nje jetese më të mirë,  për punë dinjitoze, për siguri dhe shëndet në punë, për paqe sociale dhe dialog social ndërmjet punëdhënësve, Qeverisë dhe Sindikatave.

Atkivitetet u kryen në shumë rrethe të Shqipërisë dhe në qendra punetorësh dhe si permbyllje u zhvillua një miting proteste në sheshin Garibaldi në Tiranë.

U zgjodh ky shesh si nje simbol i rezistencës së punëtorëve për vite me rradhë.

Në protestë morën pjesë përfaqësues nga të gjitha organizatat sindikale në shkalle vendi, të cilët kërkuan më shume liri e të drejta sindikale, më shumë perkushtim  dhe  vemendje nga qeveria dhe klasa politike, që  të drejtat e tyre të  garantuara me ligj, të zbatohen dhe në praktike.

Ata theksuan se puntoria shqiptare, sot me shume se kurre ka nevojë për një mbrotje ligjore për të perballuar efektet e krizes ekonomike dhe te politikë-bërjes 20 vjecare e cila ka mbajtur Shqiperinë peng në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian.

Folësit i kërkuan Qeverisë së Koalicionit të Majte, si një  aleate tradicionale e Sndikatave,  të përmiresojë  qeverisjen dhe të  rilindi shpresën për një  jetë dinjitoze me orientim social dhe integrim real në BE

Ata i kërkuan qeverisë  hapjen e vendeve të reja   punës, normalizimin e cmimeve të tregut, luftë ndaj informalitetit dhe korrupsionit, uljen e borxhit publik si edhe  më shumë investime në  sektorin publik sidomos në arsim dhe  shëndetesi, kryerjen e nje reforme te ndershme dhe në favor të punonjësve per reformen në sistemin e pensioneve dhe të asistences sociale, si dhe në ndarjen administrative e në sistemin e drejtësisë.

Në tubim përveç president te KSSH-së z. Kol Nikollaj,  folën dhe oratorë të ndryshëm nga Sindikatat e Industrisë, Arsimit, Shërbimeve Policore, Naftes dhe Gazit, Shëndetësisë, Artizanatit, Telekomunikacionit, përfaqësues të rrjeteve të të Rinjve, të Grave dhe të Pensionistëve.

Nga tubimi iu dërgua një letër proteste Qeverisë Shqiptare, Parlamentit dhe Presidentit të Republikës që ata të jenë më të vëmendshëm në drejtim të lirive dhe të drejtave sindikaliste, marrëdhënieve të punës dhe për afrimin e Legjislacionit të Punës me atë të Bashkimit Europian

Më poshtë gjeni fjalën përshëndetëse të  Presidentit te K.S.SH-së , z. Kol Nikollaj.

Tiranë, me 01.05.2014

 

1 Maji ditë proteste per KSSH

Si sot para 128 vitesh në sheshin qëndror të Cikogos ndodhi përballja e madhe historike që do të shënohet si simboli i përballjes së fuqisë puntore me punëdhënësin dhe me pushtetin dhe që do të trashëgohej edhe sot që ne flasim.

Dita e 1 Majit, si dita përkujtimore dhe e solidaritetit të punotërove njihet zyrtarisht nga më shumë se 80 shtete të botës, ku mes tyre radhitet dhe vendi ynë, por me një ndryshim, në shumicën e këtyre vendeve ku 1 Maji festohet duke protestuar në Shqipëri fatkeqësisht protestohet duke festuar.

Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë tashmë e ka kthyer në traditë organizimin e manifestimeve dhe protestave me datën 1 Maj. Ne jemi të bindur se tubimet dhe protestat janë një veprim sindikal që i jep jetë dhe zhvillon shpirtin demokratik të shoqërisë, zgjon vetëdijen qytetare dhe bën të mundur bashkimin e të gjitha shtresave të shoqërisë tonë. Kjo sepse interesat e sindikatës tonë janë në thelb kërkesat dhe interesat e cdo qytetari shqiptar, e cdo familjeje shqiptare dhe e gjithë shoqërisë shqiptare.

Ne protestojmë sot se puntoria shqiptare dhe shtresat e tjera në nevojë kanë nevojë më shumë se kurrë për mbështetje dhe solidaritet. Shpesh këto shtresa ndjehen të harruara nga shteti apo të goditura nga pushteti, por pse jo dhe të tradhëtuara nga disa pseudo-sindikata të cilat në vend të mbrojtjes social-ekonomike të punëtorëve japin dekorata qeveritarëve apo ish qeveritarëve dhe ngrohen në diellin e zbehtë të opozitës duke ngatërruar furgonat me vagonat.

Tashmë është vërtetuar katërcepërisht se tentativa për të implementuar disa karikatura dhe doktrina neoliberale si vendi i “dytë pas Gjermanisë”, “superfuqi energjitike”, “tolerancë zero ndaj korrupsionit”, etj., prodhuan kriza ekonomike, privatizime dhe koncensione korruptive ku dhe vetë korrupsionin ata e privatizuan nga një klan dhe oborr familjar i ngushtë, i cili e përdori pushtetin për të zhvatur dhe goditur shtetin dhe bashkë me të edhe gjithë puntorinë shqiptare bashkë me ne.

Ne ia dhamë verdiktin me 23 Qershor me 1 milion shuplaka kësaj padrejtësie.

Ne të gjithë jemi dëshmitar por edhe të shqetësuar për ritmet e ngadalta dhe apatinë qeverisëse edhe të qeverisë aktuale të kualicionit të majtë. Pikërisht protesta e sotme ka si burim kërkesën tonë për shpresë dhe për një jetë dinjitoze me

orientim social dhe integrim real europian. Ne duam dhe kërkojmë një transparencë të ndershme të qeverisjes pa korrupsion, me punësim, me cmime dhe treg të stabilizuar, me ulje të borxhit publik dhe rend dhe siguri të garantuar.

Varfëria në Shqipëri ka krijuar një pabarazi sociale dhe shoqërore, ku krijimi i kësaj pabarazie, sidomos në të ardhura ka polarizuar shoqërinë. Përshëndesim nismat e Qeverisë për taksimim progresiv, reformën në pensione, reformën në shërbimet sociale, shëndetësore dhe arsimore, të cilat detyrimisht duhet të garantojnë shërbime dhe të mira publike për të gjithë qytetarët.

 

Sindikata jonë qënien “pro social” në cdo rast e shikon si kusht themelor për të qënë edhe “pro biznes”, por sa më shumë të ruhet kjo balancë dhe sa më shumë të integrohen mes tyre dhe të pranojnë njëri-tjetrin këto dy terma, aq më shumë luftohet varfëria dhe arrihet të përsoset zhvillimi ekonomik dhe social, në përputhje me modelin ekonomik dhe social europian që të gjithë po e presim.

Mungesa e stabilitetit në punësim, largimet apo transferimet nga puna, mungesa e sigurisë në vendin e punës, si dhe dëmtimi i ndjeshëm i shëndetit dhe sigurisë në punë, shkatërrimi urban i territorit dhe rrënimi i ambjentit, informaliteti në punë dhe në ekonomi janë faktor kyc që ne na nxisin dhe na motivojnë në protestën tonë sot me 1 Maj.

Diskriminimi në paga, sidomos për gratë dhe të rinjtë, puna jashtë orarit e diktuar nën presion psikologjik apo stres, mungesa e investimeve në arsim dhe në shëndetësi, pensionet dhe asistenca sociale të ulta jashtë kritereve të pranueshme, janë një mesazh për tu bashkuar rreth nesh i gjithë komuniteti, pse jo dhe ato forca të ndershme politike, të cilat duan të protestojnë realisht për liri dhe standarte të munguara dhe jo për karrike të pushtetit të humbur.

Ne do të kerkojmë nëpërmjet lëvizjeve dhe aksioneve sindikale, vëmendjen e shtetit për një integrim social të shoqërisë dhe për një rishpërndarje më të barabartë të produktit shoqëror, duke synuar dhe forcuar rolin rregullator të shtetit për një rritje dhe zhvillim të shpejtë, të ballancuar dhe te vazhdueshëm të ekonomisë, për forcimin e shtetit demokratik, vendosjen e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit, trafikut, për integrimin sa më shpejt të Shqipërisë në BE.

Ne do të punojmë për të siguruar një paqe sociale, e cila duhet të jetë produkti i zhvillimit të një dialogu real dhe të shëndetshëm social dhe jo i konflikteve që vendosin në llogore të vecanta qeverinë dhe sindikatat si kundërshtarë politik.

Ne kemi besim se Qeveria Rama do të vlerësojë dialogun social në formë dhe në përmbajtje, e jo sic ka ndodhur në të kaluarën.

Ne do të këkojmë që Qevria të vlerësojë sindikatat si të barabarta për të vendosur për rritjen dhe indeksimin e pagave në mënyrë reale, për shpalljen e minimumit jetik si një prag i domosdoshëm për përllogaritjen e varfërisë, për përfundimin e reformës në pensione, reformës në energji dhe telekomunikacion, reformës në ndarjen administrative dhe reformën në drejtësi.

Vetëm puna dhe punësimi i njerëzve mund të sjellë zhvillimin e vendit e do të luftojë varfërinë e cila sot është prezente në cdo derë shqiptari.

Ne do të kërkojmë siguri jo vetëm për jetën e përditshme por dhe për të ardhmen e secilit nga ne pasi mbi të gjitha siguri do të thotë punë për të gjithë, mjete jetese për të gjithë, jetë dinjitoze për të gjithë, shërbim shëndetësor e arsimor për të gjithë, rend e qetësi për të gjithë.

Ne do të punojmë dhe luftojmë për drejtësi pasi një shoqëri është e drejtë dhe demokratike vetëm atëherë kur ajo bën të mundur të realizohen të drejtat humane dhe thelbesore të njeriut. Ne besojmë se duhen kryer ndryshime të thella për ta afirmuar drejtësinë e vërtetë në Shqipëri. Për këtë ne kemi kërkuar e do kërkojmë për të gjithë shoqërinë tonë një garanci kolektive e mbrojtje sociale si një garanci e suksesshme për shpërndarjen e të ardhurave e eleminimin e varfërisë, pasi kështu ne i realizojmë objektivat e  mijëvjecarit të ri me sa më pak sakrifica sociale.

Shoqëria shqiptare sot më shumë se kurrë duhet ta kthejë vëmendjen kundrejt lëvizjeve sindikaliste. Sindikatat dhe jo partitë politike janë grupimet e vërteta që mund të prodhojnë një shoqëri të ekuilibruar, barazi sociale dhe mirëqënie ekonomike. Lëvizja dhe organizimi i lirë sindikal janë përbërësit kryesor të një demokracie funksionale dhe të shëndetshme.

Sot ky organizim sindikal në Shqipëri, jo vetëm që është i ngatërruar nga vetja e tij, por dhe i goditur nga politika shterpë dhe e paaftë, e cila duke ju trembur një lëvizjeje sindikaliste të mirëfilltë vazhdimisht ka preferuar ta pengojë atë, ta godasë dhe ta përcajë me qëllimin e vetëm që lëvizja sindikale të mos jetë funksionale dhe në shërbim të punëtorëve.

Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë e ka vërtetuar më së miri se lëvizjet sindikale mund të goditen apo mund të përcahen nga politika, apo lidershipi sindikal që zgjohet nga koma një herë në 10 vjet, por këto lëvizje sindikale kurrë nuk mund të humbasin, pasi ato janë nevojë dhe domosdoshmëri për një përfaqësim real të puntorisë shqiptare dhe shtresave në nevojë.

Në këtë ditë të shënuar për puntorinë në mbarë botën, KSSH i bën thirrje të gjithë shoqërisë shqiptare dhe vecanërisht punëtorëve, grave dhe burrave, të rinjve dhe të rejave, invalidëve të luftës dhe të punës, të përsekutuerve politik dhe atyre që kanë humbur shpresën nga persekutimi ekonomik, që të gjithë bashkë të grupohemi për të mbrojtur kauzën tonë sindikale dhe me grushtin e fortë sindikal të gjithë bashkë të ekuilibrojmë shoqërinë tonë të c’ekulibruar ekonomikisht dhe të luftojmë për barazi sociale dhe mirëqënie ekonomike. 

Rroftë 1 Maji!

Rroftë puntoria shqiptare!

 

Fjalimi për protëstën me 1 Maj 2014

Z. Kol Nikollaj

President i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë

 

 

 

 
Newsitem 1 till 2 out of 12 newsitems.
First page < Previous 1-2 3-4 5-6 7-8 9-10 11-12 Next > Last page

Search

Kerko per:
Advanced search

Newsletter

Enter your email address: