Paketat ekonomike të Qeverisë në periudhën e pandemisë Covid-19 ishin diçka, por jo gjithçka. Informaliteti përbën 40% të tregut.

Presidenti i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë (KSSH), Kol Nikollaj vjen në një intervistë për “Konfident” me një këndvështrim të përgjithshëm mbi gjendjen aktuale të punonjësve në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Paga minimale e një punëtori në Shqipëri detyrimisht duhet të plotësojë nevojat bazike të jetesës, por në fakt është e pamjaftueshme për një punëtor. Punonjësit e padeklaruar ose sektori informal përbën mbi 40% të tregut në total, ku pjesa më e madhe e punonjësve paraqiten në: sektorët e ndërtimit, call-center, fasonerive, hidrokarbureve, turizmit dhe atë bujqësisë.

Në vlerësimin tuaj, a është e mjaftueshme paga minimale në Shqipëri bazuar në nivelin e jetesës?

Një element i rëndësishëm i pagës, nga e cila fillon e gjithë përllogaritja e saj është paga minimale. Për të përcaktuar pagën minimale ekzistojnë disa kritere dhe indikator të cilët detyrimisht duhen të konsiderohen të domosdoshëm. Këto janë kritere dhe parime morale dhe sociale. Këto indikator përfshijnë nevojat bazike të punëtorëve për jetesë normale për produktivitetin e tyre në punë, aftësitë paguese të punëdhënësit si dhe axhustojnë raportin e kërkesës dhe të ofertës në treg. Paga minimale detyrimisht duhet të plotësojë nevojat themelore të punëmarrësit ose siç quhet ndryshe të përballojë shportën e mallrave dhe shërbimeve me të domosdoshme për nevojat jetike të punonjësve. Mallrat dhe shërbimet e shportës në mënyrë dinamike dhe progresive duhet të vlerësohen me çmime permanente të tregut dhe mbi këto duhet të përcaktohen të ardhurat minimale dhe të domosdoshme për mbijetesën e punëtorëve. Kjo vlerë ndryshe quhet minimum jetik i cili presupozon vlerën monetare të nevojave minimale qëi nevojiten një të punësuari për të mbajtur veten dhe një numër personash që ka në ngarkim, kjo mesatarisht llogaritet për 4 persona (një familje me 2 fëmijë). Paga minimale duhet të jetë element i rëndësishëm për të rritur dhe arrirë standarte të pranueshme të një shpërblimi dinitoz. Harmonizimi i kërkesave morale (që kanë të bëjnë me nevojat jetësore të punëtorëve) dhe kërkesave ekonomike (që kanë të bëjnë me rritjen aftësisë konkuruese të ekonomisë dhe produktivitetin e saj) bëjnë të mundur ruajten e ekuilibrit social dhe domosdoshmërisë e një pagë minimale që të bazohet mbi minimumin jetik. Fatkeqësisht punëdhënësit dhe qeveritë nisen vetëm nga nevojat për akumulim kapitali dhe resursesh ekonomike duke akulmuar vetëm tek kriteri ekonomik dhe duke anashkaluar kriterin moral. Kjo ka sjell pagë minimale të ulët dhe një deformim të trinomit,zhvillim ekonomik, pagë minimale, dhe treg pune.

Ne sindikatat jemi të bindura dhe e argumentojmë se paga minimale duhet të rritet në mënyrë ritmike. Kjo bën të mundur uljen dhe reduktimin e varfërisë si dhe rrit të ardhurat për shtresat e varfëra në mënyrë të drejtpërdrejtë, rrit konsumin, konsolidon përfitimet nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore duke garantuar funksionimin normal të skemës së pensioneve, si dhe kontribuon në ndalimin e emigracionit i cili këto vitet e fundit është shqetësim serioz për vendin tonë. Rritja e pagës minimale jep ndikim direkt në çmimin e punës për orë, në përmirsimin e përformancës së të punësuarve si dhe rrit efektivitetin e tyre në punë, ndikon direkt në stabilitetin e vendeve të punës dhe në eliminimin e informalitetit. KSSH ka kërkuar që paga minimale për vitin 2020 duhet të jetë 36 mijë lekë në muaj. Ne tashme jemi përfshirë në një fushatë mbarë-botërore të organizuar nga ITUC (Konfederata Botërore e Sindikatave) për rritjen e pagave në tërësi e të pagës minimale në veçanti, ne aktualisht kemi pagën minimale më të ulët në rajonin tonë. Vendi ynë nuk zbaton edhe minimumin e mundshëm për pagën minimale që përcakton Karta Sociale Europiane, që rekomandon se paga minimale nuk duhet të zbresë poshtë 60% të pagës mesatare neto kombëtare. Në të gjithë negociatat dhe kontratat kolektive që nënshkruan KSSH-ja rritjen e pagës minimale e ka synim dhe priroritet kryesor të saj.

Sa përqind e punonjësve janë të deklaruar nga punëdhënësit në vendin tonë?

Të gjitha shoqëritë në tranzicion janë ballafaquar me informalitetin e ekonomisë në tërësi dhe veçanërisht me tregun informal të punës, synimi ynë është të ngushtohet raporti ndërmjet tregut legal dhe atij ilegal të punës. Aktualisht ekonomia po i vuan shumë pasojat i informalitetit, evazionit fiskal dhe korrupsionit ekonomik i cili është klasifikuar si korrupsion politik. Mendohet se në Shqipëri tregu informal i punës të jetë mbi 40%.Kjo ka frenuar rritjen ekonomike dhe nuk garanton financim të kënaqshëm të buxhetit të shtetit pa folur pastaj për rrezikun shëndetësor në vendin e punës, pasiguria për vazhdimin e saj. Punëtorët në tregun informal punojnë me orë të zgjatura me kushte diskriminuese,shëndet të rrezikuar, pagesa diskriminuese dhe jo të bazuar në legjislacionin e punës. Këta punëtorë janë vazhdimisht të ekspozuar, të kërcënuar nga forma të ndryshme diskriminimi, dhune e të tjera. Tregu informal i punës lidhet ngushtësisht me korrupsionin dhe moszbatimin e ligjit, duke mos deklaruar numrin e saktë të punësuarve apo duke fshehur të ardhurat reale dhe paguar kontribute e taksa minimale.

Sa i përket informalitetit, ku paraqitet numri më i lartë i punonjësve të padeklaruar?

Nga vrojtimet tona na rezulton se aktualisht sektoret me problematik në drejtim të punonjësve në punë formale janë sektorët e ndërtimit, call-center, fasonerive, hidrokarbureve, turizmit dhe atë bujqësisë. Përfshirë agropërpunimin, blegtorinë, etj. Akoma ne kemi nga këto subjekte që raportojnë aktivitet ekonomik me zero të punësuar apo një të punësuar 3 ose 10 të punësuar, aktivitet ky i cili nuk e justifikon kryerjen e tij me aq pak fuqi punëtore. Akoma ne kemi pallate që ndërtohen me 2 apo 3 punëtor, akoma ne kemi kompani qe eksportojnë produkte fasoreri lekure, kepuce etj dhe rezultojne te punesuar vetem me familjet e tyre. Nga 4686 subjekte që ushtrojnë aktivitetin e tyre në ndërtim rezulton që 1448 prej tyre rezultojnë vetëm në një të punësuar. Po të shohim disa profesione të cilat quhet profesione të mirëpaguar në treg, rreth 15mijë individ të këtyre profesioneve deklarohen me pagë minimale. Kjo jo vetëm që deformon tregun e punës, nxit evazionin fiskal, por krijon problem në mirëfunksionimin e skemës së pensioneve e sidomos frenon indeksimin dhe rritjen e tyre vjetore. Pavarësisht propagandës qeveritare, aksionet dhe fushatat anti-informalitet të ndërmarra nga qeveria për mendimin tonë kanë qenë të dështuara ato kanë mbetur vetëm në rrafshin propagandistik ose kanë shërbyer si suporte të përkohshme për rritjen e buxhetit nga gjobat paformalizimi i pjesshem. Informaliteti ka demtuar konkurueshmerine ne treg , ka inspiruar korrupsionin nga mos-zbatimi i ligjit si dhe ka krijuar e po krijon problem të pariparueshme të drejtim të polarizimit ekonomik të shoqërisë sonë.

Shumë biznese nuk i deklaruan punonjësit e tyre. Ishte kjo një mënyrë përfitimi për ta?

Siç thamë më lartë informalitei nuk luftohet me aksione apo me inspektime rrisku. Kjo është çështje procesi. Proces edukimi dhe parandalimi, pastaj kontrolle e ndëshkime. Kjo ka të bëjë edhe me shkallën e epancipimit shoqëror dhe në kulturën e krijuar në drejtim të zbatimit të ligjit, uljes së përdorimit të parasë cash dhe lëshimin apo kërkimin e kuponit tatimor. Formalizimi i ekonomisë nuk duhet të kërkohet thjesht si burim ekonomik taksash apo zbatim korrekt i ligjit.  Formalizimi i Ekonomisë ka dimensione të ndryshme dhe është një proces dinamik që duhet të harmonizohet me ndyshimet politike, ekonomike dhe sidomos ato teknologjike(dixhitalizimi) Formalizimi i ekonomisë është mirëqënie dhe përmirsim i cilesisë së jetës. Në tregun e punës informaliteti sjell varfëri dhe rrisk të lartë shëndetësorëpër të punësuarit. Kjo për shkak të produktivitetit të ulët, të ardhurave të ulëta, pasigurisë për të ardhmen dhe kushtet e kufizuara dhe të pakontrolluara shëndetësore në vendet e punës. Nga studimet tona që kryejmë në Qendrën e Trajnimeve dhe Kualifikimit Sindikal në KSSH na rezulton se punësimi informal sot në vendin tonëështë mbi 40%në tregun e punës. Rreth 30% e të punësuarve paguhen me 2 listëpagesa duke mos deklaruar pagën reale. Një pjesë e konsiderueshme e tyre paguhen me pagë në natyrë, klering, e shperblime të tjera që nxisin evazionin fiskal. Mbi 20% e të punësuarve janë pa kontrata individuale pune dhe 30% e të punësuarve kontrata individuale i kanë formale dhe nuk i  njohin ato. Këto vecori kryesisht janë prezente tek punëmarrësit me arsim të ulët të pakualifikuar dhe që punojnë në sektoret e bujqësisë, blektorisë, agroturizmit, transportit, peshkimit, ndërtimit,call center, fasonerive punonjësve të shërbimit dhe të sigurisë fizike, punonjësve të shërbimit në familjeve, të babysitter, etj.

Punonjësit e larguar nga puna kanë përfituar asistencë papunësie?

Në përgjithësi të gjithë punonjësit e larguar nga puna për efekt COVID-19,kanë përfituar pagesë papunësie sipas legjilacionit përkatës. Aktualisht kjo është 50% e pagës minimale zyrtare (13mijë lek). Sigurisht këtë përfitim e gëzojnë personat e punësuar në tregun formal të punësimit dhe që iu ndërpriten marrëdheniet e punës.Çdo i punësuar që ka pasur vjetërësi në punë për një vit përfiton 3 muaj asistence sociale. Ata që kanë 3 vjet vjetërësi në punë përfitojnë 6 muaj asistencë sociale pune. Dheata që kanë 5 vjet vjetërsi pune përfitojnë 9muaj asistencë sociale, dhe të gjithë të punësuarit që kanë mbi 10 vite vjetërsi pune përfitojnë 1 vit asistence sociale. Por kjo gjithmonë me kusht që ata të kenëpaguar 1 vit sigurime shoqërore për çdo rast përfititmi.

E gjithë kjo situatë evidentohet nga dokumentacioni i dorëzuar në zyrat vendore të punësimit, këta punonjës quhen punëkërkues të papunë, të cilët u është ndërprerë kontrata e punës nga zvoglimi i aktivitetit ekonomik apo ndërprerja e tij si dhe nga falimentimi i ndërmarrjes apo biznesit.

Vendosja e datave fikse për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës si 10 marsi, etj, ka sjell disa përshtjellime dhe përjashtime, por që me kalimin e kohës ato janë korrektuar apo vazhdojnë në process korrektimi.

Të gjithë punëmarrsit që punojnënë informalitet pa kontrata pune, pa paguar kontribute të sigurimeve shoqërore apo shëndetësore, dhe pa paguar taksa u penalizuan dhe nuk përfituan nga paketat emergjente të COVID-19 përveç se në raste shumë të rralla ku ata e kanë denoncuar punëdhënësin e tyre dhe kanë bërë të mundur lidhjen e kontratës së punës 1vjeçare.

Çfarë mendoni për dy paketat ekonomike në mbështetje të biznesit dhe individëve?

Të dy paketat ekonomike që qeveria akordoi në periudhën e pandemisë së COVID-19 ishin diçka, por jo gjithçka. Ato ndihmuan për emergjencën dhe mbijetesën e bizneseve dhe të individëve gjatë kohës së izolimit. Fatkeqësisht shtrirja e tyre ishte e kufizuar. Ato nuk munden të jenë gjithëpërfshirëse, pavarësisht nga propagandimit të tyre nga qeveria. Rëndësi pati dyfishimi i ndihmës ekonomike dhe asistencëncës së papunësisë. Pavarësisht vlerës së saj të ulet kjo ishte domosdoshmëri sociale, dhe një solidaritet i domosdoshëm për këto shtresa apo individ të ekspozuar dhe të përfshirë në rrethin e varfërisë. Këto paketa patën rëndësi të veçantë pasi siguruan vazhdimin e konsumit. Kjo krijon mundësi më të shpejtë për riintegrimin ekonomik pas pandemisë. Këto paketa sidomos ajo për bizneset, bent e mundur shpëtimin e tyre momental nga falimentimin, por kjo kërkon një strategji urgjente për rimëkëmbjen dhe vazhdimin e tyre për periudhën post COVID-19, për ndryshe falimentimi ështëi pashmangshëm. Ne mendojmë se mekanizmi i evidentimit të përfituesve dhe shpërndarjes nuk ishte i thelluar sa duhet . Deklarimi i njëanshëm, vetëm nga ana e punëdhënësit solli shumë probleme, disa përfitues u eliminuan, pati edhe eliminime kolektive ku shumë kompani apo ndërmarrje nuk i kryen procedurat në rregull. Shpresojmë me vendimet dhe ndëryhrjet e fundit të qeverisë të korrektohet dhe të riparohet kjo gjendje. Ne mendojme se me produktive dhe më e sakte do të ishte përfshirja direkt e tatimeve përcaktimi i përfituesve që kjo ka kaluar tashmë. Ne mendojmë se këto paketa do të ishin më produktive por  ishin të përshkallëzuara duke pasur në konsideratë problemet e shqetësimet e çdo grupi profesional të punëmarrësist apo përbërjen familjare të tyre. Disa sektor sidomos ata bujqësisë nuk u përfshinë në këto paketa. Kjo do te krijonte problem në të ardhmen me furnizimin ritmik të tregut me produkte bujqësore, apo rritje të çmimit të tyre. Ne mendojmë se sektori i shërbimeve, sektori i turizmit dhe sektori i fasonerive edhe pas heqjes së situatës së jashtëzakonshme kanë nevojë të mbështetën me suport financiar përndryshe këta sektor që u mbrojtën në kohë jo normale do të asfiksohen në kohë normale nga rregullat e reja, nga protokollet e COVID-19 si dhe nga situatat e tregjeve globale ku ato janë të varura tërësisht dhe duan kohë të gjatë të stabilizohen.

Konfident.al