Projekt buxheti për vitin 2020, KSSH kërkon përfshirjen e partnerëve social

Me datë 18.11.2019, në Zyrat Qendrore të KSSH-së Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë ka organizuar një takim me ekspert të ftuar Prof. Arben Malaj, President i Institutit për Politika Publike dhe Qeverisjen e Mirë, ekspert i jashtëm i KSSH-së.

Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë po i kushton një rëndësi të veçantë çështjes së projekt-buxhetit 2020.
Ne e konsiderojmë buxhetin si një akt të mirëfilltë politik në funksion të zhvillimeve ekonomike të vendit.
KSSH konstaton se Qeveria ka punuar në terr informativ në hartimin e këtij projekt-buxheti. Ajo nuk është konsultuar me asnjë aktor social, duke mos e kaluar këtë projekt-buxhet në Këshillin Kombëtar të Punës, në Komisionet e specializuara të tij, apo në bordet publike të administrimit, ku KSSH është pjesëmarrëse.

Gjithsesi, ne po punojmë shumë me Parlamentin Shqiptar dhe Komisionet përkatëse të tij, me qëllim që vërejtjet dhe sugjerimet tona të merren në konsideratë.

  • KSSH kërkon një riformatim të këtij buxheti në aspektin social, në aspektin e punësimit, në aspektin e rritjes së pagave dhe pensioneve, veçanërisht në rritjen e pagës minimale, në rregullimin e transparencës të procesit fiskal, si dhe në rritjen e investimeve në drejtim të përmirësimit të cilësisë së shërbimeve për publikun.
  • KSSH kërkon që paga minimale në vitin 2020 të jetë 33,000 lekë dhe për vitin 2021 të bëhet 36,000 lekë. Të vlerësohet dhe të shpallet minimumi jetik zyrtar, i cili nëpërmjet një marrëveshjeje speciale kombëtare të fillojë zbatimin e tij të ndarë në faza dhe në kohë.
  • KSSH kërkon rritje të pensioneve me 10% dhe pensionet e fshatit me 15%, si dhe një Status special për moshën e tretë.
  • KSSH kërkon që buxheti i vitit 2020 të ketë një paketë të përcaktuar, sociale, për shtresat në nevojë, shtresat e pamundura, asistencën sociale, bonus për pensionistët për Vitin e Ri, si dhe rritje të kompensimit për ish-pronarët dhe të përndjekurit politikë.
  • Për të gjitha këto, KSSH po punon me grupe pune dhe me ekspert nga shoqëria civile dhe bota akademike, të udhëhequra dhe drejtuara nga Prof. Arben Malaj, bashkëpunëtor i jashtëm i KSSH-së, President i Institutit për Politika Publike dhe Qeverisjen e Mirë.
  • Pikërisht në këtë kuadër, sot u organizua një takim i zgjeruar me të gjithë lidershipin e KSSH-së, për të shkëmbyer informacione dhe për të artikuluar në mënyrë profesionale të gjithë shqetësimet dhe propozimet e KSSH-së në lidhje me Buxhetin e vitit 2020