Kongresi i 6-të i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, 09 Nëntor 2019

Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë, me datë 09 Nëntor 2019 zhvilloi Kongresin e 6-të të saj.

Pas një pune të suksesshme 6 mujore, KSSH mbylli me sukses analizat e punës së saj, evidentoi rezultatet, sukseset dhe dështimet, nxori konkluzionet dhe përcaktoi objektivat për 5 vitet e ardhshme, rinovoj dhe zgjodhi në përputhje me Statutin dhe Rregulloren Elektorale të KSSH-së gjithë strukturat e saj. Asambletë e ndërmarrjeve, sektorëve, institucioneve e territoreve, Kongreset e Federatave ishin një shembull pozitiv i një modeli të suksesshëm të një fushate zgjedhore brenda KSSH-së.
Punimet e Kongresit i ndoqi, Sekretare e Përgjithshme e Konfederatës Ndërkombëtare të Sindikatave (ITUC), Znj. Sharan Burrow, si dhe shumë delegacione nga sindikatat si motra ndërkombëtare, europiane, amerikane, aziatike, arabe.

Ishin të ftuar organizata punëdhënësit, parti politika, organizata të shoqërisë civile, bashkëpunëtor të KSSH-së, Koordinatorja e Zyrës së ILO-s në Tiranë, Drejtoresha e fondacionit gjerman “Fridrich Ebert Stiftung”, etj.

Në emër të kabinetit Qeveritar Kongresin e përshëndeti, ish Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, aktualisht Ministër i Turizmit dhe Mjedisit dhe anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste, Z. Blendi Klosi.

Znj. Sharan Burrow, Sekrete e Përgjithshme e ITUC në përshëndetjen e saj theksoi rolin e domosdoshëm që kanë sindikatat në vendin tonë me një demokraci jo-funksionale dhe një ekonomi ndër më të dobëtat në rajon, si dhe evidentoi dhe inkurajojë përpjekjet e KSSH-së për të qënë një organizatë sindikale demokratike, e hapur dhe bashkëpunuese me të gjithë aktorët.

Presidenti i KSSH-së, Z. Kol Nikollaj në fjalën e tij theksoi se KSSH tashmë është një organizatë lider në tregun sindikal në Shqipëri, e konsoliduar organizativisht dhe e hapur demokratikisht për të gjithë punëtorët shqiptar. KSSH nuk jeton me historinë e saj dhe me delirin e madhështisë, por është një organizatë aktive, bashkëpunuese dhe si objektiv në të ardhmen do të ketë bashkëpunimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve institucionale ndërmjet sindikatave, si sfida e parë me të cilën duhet të përballet çdo ditë. Edhe për 5 vitet e ardhshme mbrojtja e interesave social-ekonomike të punëtorëve shqiptarë pa dallime politike, ekonomike, shoqërore, etnike e fetare mbetet kryefjala e KSSH-së.

KSSH do të vazhdojë të ketë fushë prioritare: të drejtën për punë, punësimin, mbrojtjen sociale dhe dialogun social dhe do të angazhohet për punë dinjitoze dhe do të punojë me strategji të plotë, objektiva konkrete, dhe synime të përcaktuara qartë si : ”Përmirësim të kushteve të punës “ ,”Reduktimin e orarit të punës”, “Pagesën në natyrë”, ”Punën me nënkontraktim”, “Transferimin e përgjegjësive sociale të korporatave” duke ruajtur raporte të drejta midis pushtetit vendor dhe atij qëndror, ”Punën në distancë ”, “Punën në shtëpi”, etj. Një vëmëndje do ti kushtojmë përfitimit nga avantazhet që krijon teknika e re dixhitale në marrëdhëniet e punës. KSSH do punojë të kthejë në avantazh dixhitalizimin e shërbimeve publike.

Kongresi evidentoi se Shqipëria akoma vazhdon të jetë i vetmi vend në rajon e me gjerë me një vakancë të pakuptimtë të rregullave të lojës për të zhvilluar dialog social. KSSH ka kërkuar dhe do vazhdojë të këmbëngulë për domosdoshmërinë e një pakete ligjore të posaçme që mbështet dhe zhvillon një dialog social efektiv, gjithëpërfshirës dhe të suksesshëm, një dialog social të harmonizuar në të tre nivelet e tij dhe që respekton të drejtat themelore të punonjësve. Kjo paketë ligjore që KSSH kërkon, duhet të përcaktoj rregulla të qarta e transparente për: Organizmin dhe funksionimin e lëvizjes sindikale të punëdhënësve dhe të punëmarrësve, të përcaktoj standardet dhe rregullat e negocimit dhe nënshkrimit të kontaktimit kolektiv në të gjitha nivelet e tij si dhe të përcaktoj kritere të qarta numerike dhe të pranueshme të përfaqësueshmërisë sindikale e të votimit sindikalist.

KSSH është e shqetësuar që aksidentet në punë janë kthyer në një emergjencë kombëtare. Vazhdimisht ajo e ka ngritur zërin për këtë fenomen, pasojat e të cilit kanë qënë fatale për shumë punëtorë. Për këtë Kongresi miratoi një rezolutë të posaçme.

Kongresi i 6-të i KSSH-së diskutoi dhe miratoi veprimtarinë ekonomike financiare nëpërmjet raportit të posaçëm që paraqiti Drejtoresha Ekzekutive e Qendrës Ekonomike të KSSH-së, e cila informoi Kongresin dhe opinionin publik me shifra konkrete në lidhje me menaxhimin dhe administrimin e aseteve ekonomike të KSSH-së, ajo evidentoi se e gjithë pasuria e KSSH-së është e mirë-menaxhuar, në përputhje me procedurat ligjore e statutore. KSSH të gjithë veprimtarinë e saj të kuotave të anëtarësisë e ka organizuar në rrugë bankare dhe pronat e sindikatave i menaxhon dhe administron në përputhje të plotë me ligjin për pronat e sindikatave.

Kongresi i KSSH-së miratoi 4 rezoluta, të cilat shprehin prioritetet bazë të axhendës së punës së saj për 5 vitet e ardhshme. Ato ishin:
1. Në mbështetje të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian
2. Për rritjes e pagës minimale dhe përcaktimin e minimumit jetik zyrtar
3. Për barazinë gjinore dhe ratifikimin e konventës nr. 190 “për dhunën dhe ngacmimin”, si dhe rekomandimin nr 206 -për dhunën dhe ngacmimin
4. Për sigurinë dhe shëndetin në punë

Kongresi miratoi disa ndryshime statutore, si dhe strukturën organizative të KSSH-së për 5 vitet e ardhshme, e cila do të jetë me 10 Federata, nga 8 që ishin më parë.

Në fund Kongresi, në përputhje me Statutin dhe Rregulloren Elektorale të KSSH-së, zgjodhi strukturat drejtuese për një mandat 5 vjeçar, si dhe rizgjodhi President të KSSH-së, Z. Kol Nikollaj.

Delegatët e Kongresit i kërkojnë Qeverisë Shqiptare Hartimin e një kontrate të re sociale dhe shoqërore, e cila duhet të përfshijë:

 

  • Të drejtën për arsim cilësor dhe të mësuarit gjatë gjithë jetës
  • Garantim të plotë të shëndetit dhe sigurisë në punë
  • Shërbime publike të garantuara dhe cilësore
  • Barazi gjinore dhe integrim moshor
  • Status të veçantë për moshën e tretë
  • Një legjislacion me standarde europiane dhe të zbatueshëm në tërësi dhe për botën e punës dhe sindikatat në veçanti
  • Politika ekonomike të qëndrueshme dhe transparente
  • Tatim të drejtë dhe me progresivitet
  • Rishpërndarje më e drejtë e produktit shoqëror
  • Politika publike me synim mbrojtjen dhe përfshirjen sociale
  • Tolerancë zero ndaj informalitetit, korrupsionit dhe trafiqeve e influencave politike
  • Paga dhe shpërblime dinjitoze
  • Ekonomi dixhitale dhe mbrojtje ambjentale